Shkrimtarë botërorë të shek. XX


TOMAS MAN (1875 – 1955); Njëri ndër romancierët e tregimtarët më të rëndësishëm të letërsisë së re gjermane dhe eseist i shquar. Më 1933 u largua nga atdheu i tij dhe jetoi një kohë në Zvicër e pastaj edhe në Amerikë, ku punoi si profesor i letërsisë.

Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Budenbrokët”, “Tristani”, Tonio Krëger”, Vdekja në Venedik”, “Bregu magjik”, tetralogjia “Josifi dhe vëlezërit e tij” , “Lota në Weimar”, “Doktor Faustus”, Historitë e vagabondit Feliks Krul” etj.

Sikur edhe romancierët e mëdhenj evropianë të shekullit 19-të edhe Mani krijoi në traditat epike të realizmit, por me një ironi të theksuar personale në mënyrën e të shprehurit  – paraqet fatin dhe rënien apo shkatërrimin e familjeve, të shoqërisë dhe përgjithësisht të botës borgjeze.

Tomas Mani gjithnjë krijonte romane për kulturën e një periudhe apo epoke të caktuar, ishte një kronikan gjithëpërfshirës i jetës dhe i shoqërisë, duke e anticipuar jetën në liri dhe në themelet e humanitetit të shpirtit njerëzor.

Më 1929 fitoi Çmimin Nobel për letërsi.

 ERNEST HEMINGUEJ (1898 – 1961); novelist dhe romancier amerikan. Punoi si gazetar, mori pjesë në luftën e parë botërore, në Luftën Qytetare të Spanjës, ku ishte aktiv në anën e republikanëve, jetoi në Paris një kohë të gjatë, si korrespodent lufte ishte edhe në Kinë.

Sukseset e para Heminguej i arriti me novelat, të cilin zhanër e kultivoi gjatë gjithë jetës. Ndër më të njohurat e opusit të tij letrar janë veprat: “Dhe dielli lind”, “Lamtumirë armë”, “Të kesh e të mos kesh”, “Për kë bien kambanat”, “Mbatanë lumit dhe në pyll”, “Vdekja pasdite”, “Plaku dhe deti” etj.

Stili i tij është karakteristik: fjalia e shkurtër, shumë përsëritje dhe paraqitja objektive e reaksioneve personale. Qëllimisht kufizohet në paraqitjen e gjykimeve të drejtpërdrejta dhe objektive, si dhe me ngulm kërkon aksionet, të cilat i përshkruan imtësisht. Në gjithë opusin e tij dominojnë gjithsesi tri tema kryesore: lufta, dyluftimi me dema dhe gjuetia.

Më 1954  Ernest Heminguej fitoi Çmimin Nobel për letërsi.

 HORHE LUIS BORHES (1899–1986); është lindur në Buenos Aires të Argjentinës. Është njëri ndër personalitetet dhe intelektualët më markantë të shekullit XX. Është poet, tregimtar, romansier, eseist, konsiderohet kosmopolit, një qytetar i botës, poliglot. Veprat e tij më të njohura janë: “Zjarri i Buenos Airesit”, poezi, 1923; Fiksionet”, (1944); “Aleph”, Libri i Rërës” (ese), “Inkuizicione të tjera” si dhe dhjetra vëllime poezish e vepra me karaktere nga më të ndryshmet për nga forma e përmbajtja.

Është ilustrativ paralelizmi i veprimtarisë së tij krijuese me avangardizmin elitist, me ndërgjegjësimin nacional, një prosede fantastik, me dokumentarizëm e neosimbolizëm, me angazhimin politik në anën e revolucionaritetit modern, antitotalitarizmit, demokracisë qytetare, deri te orientimi konservativ koketues plutokratik, nga ku demokracinë e definon si një keqpërdorim të statistikës.

Që nga viti 1955, pas tetë operacioneve të kataraktit Borhesi gati plotësisht e humbi të pamit dhe që atëherë deri në vdekje (31 vjet) verbëria e pengoi të lexojë e të shkruajë. Por memoria e tij, ndjeshmëria instiktive e formës dhe kapaciteti i improvizimit, i lejojnë të diktojë posi të shkruante.

 XHORXH ORVEL (1903 – 1950) – Emri i vërtetë i tij është Erik Artur Bler. Është i lindur në Bengal të Indisë, ku kalon një pjesë të fëmijërisë e rinisë. Në vitet ’20 punon në Birmani, ndërsa me fillimin e Luftës Qytetare në Spanjë shkon dhe vihet në anën e republikanëve.

Vepra e parë e Orvelit është “Ferma e kafshëve”, të cilën vetë autori e quajti përrallë. Ajo fillon me një parullë: “Të gjitha kafshët janë të barabarta” dhe përfundon me “… por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.

Më 1949 Orvel boton romanin e tij më të njohur “1984”. Është ky një vizion i shtetit totalitar, ku njeriu si personalitet është plotësisht i degraduar, ku një grusht njerëzish që mbajnë pushtetin frikëson e terrorizon tërë një popull, ku sundojnë mjerimi e uria, ku historia falsifikohet, ku vlerat njerëzore në mënyrë cinike janë vënë në shkallën më të ulët, është njëherit një kritikë e shkrimtarit kundër atyre tendencave që historinë do të mund ta çonin në atë drejtim.  Romani “ 1984 ” ka porosi thellësisht humane dhe një vlerë të përhershme e aktuale.

ALBERTO MORAVIA (1907 – 1990); Është prozator, kritik dhe publicist italian.  Romanet e tij të shumta “Indiferentët”, “Ambiciet e gabuara”, “Maskarada”, “Romakja”, “Urrejtja”, “Çoçara”, “Bezdia”, depërtojnë thellë në shoqërinë italiane të periudhave të paraluftës, të luftës dhe të pasluftës. Moravia gjithnjë paraqitet si një kritik i shoqërisë, ndonëse përgjithësisht me tone të zymta, rezignuese e pesimiste. U mor edhe me shkrimin e dramave e të eseve.  Moravia u mor shumë edhe me publicistikë e me gazetari dhe një pjesë e madhe e veprave të tij janë ekranizuar. Është përkthyer gati e gjithë vepra e tij në gjuhët më të mëdha të botës.

HAJNRIH BËL (1917 – 1985) – i takon gjeneratës së shkrimtarëve gjermanë që u zhvilluan midis dy luftërave botërore. Është quajtur ndërgjegjja e popullit gjerman ngase për më se 40 vjet nuk pushoi të tërheqë vërejtjen, të përkujtojë, të kritikojë të keqen më të madhe që mund t’i ndodhë ndonjë populli apo vendi, fatkeqësinë që quhet luftë.

Karrierën e tij e filloi me një varg tregimesh, duke vazhduar me novelat dhe romanet me temën e luftës: “Treni ishte i saktë”, 1949, “Ku ishe ti, Adam”, 1950, “O i huaj, kur të vish në Spa…”, “Dhe nuk e tha asnjë fjalë”, 1953, “Buka e viteve të hershme”, “Mendimi i një klouni”, 1963, “Nderi i humbur i Katarina Blumit”, 1974, “Plagosja dhe tregime të tjera”, “Letra fëmijëve të mi”, Testamenti” etj.

Një personazh i Bëlet pohon: “Ne s’ kemi lindur që të jemi të lumtur. Kemi lindur për të vuajtur, për të mësuar se përse vuajmë. Dhembja jonë është e vetmja gjë në të cilën mund të thirremi. Nëse nuk kemi lindur që të jemi të lumtur, nuk kemi lindur as të harrojmë. Harresa dhe lumturia!  Ne kemi lundur për të kujtuar. “Jo harresa, por kujtesa është detyrë e jona”.  Të gjitha veprat e Bëlit kanë një frymë të përgjithshme antimilitariste.

Hajnrih Bël është fitues i Çmimit Nobel për letërsi.

GABRIEL GARCIA MARKES(1928); shkrimtar kolumbian. Me veprën e tij të parë “Gjethurinat” të cilën e shkroi në moshën 19 vjeçare përjetësoi vendin e quajtur Makondo, milieun e tij të përhershëm të shkretëtirës e të melankolisisë shpirtërore.

Nga studiuesit sot konsiderohet ndër shkrimtarët më të talentuar, më të veçantë e më të jashtëzakonshëm të këtij shekulli. Është poashtu ndër letrarët më produktivë në fushën e romanit e të prozës së shkurtër. Ka botuar deri më tash dhjetra romane, vëllime tregimesh e novela si: “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, “Një histori me paskuinë”, “Njëqind vjet vetmi”, në të cilën jep historinë e degradimit dhe të rënies së një fisi, ku bashkohen fantastikja dhe i ashtuquajturi realizëm magjik, pastaj “Historia e trishtë dhe e pabesueshme  së dëlirës Erendirë dhe së gjyshes së pashpirt”, “Sy qeni të kaltër”, “Vjeshta e patriarkut”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, “Dashuri në kohë të kolerës”, “Për dashurinë dhe demonët tjerë”, “Lajmi për një kidnapim” e shumë të tjera.

Markesi është sot ndër më të merituarit që botën e pasur legjendare mitologjike e reale të popujve të Amerikës latine ia ofroi në mënyrë shumë lucide opinionit letrar e kulturor evropian. Është ndër shkrimtarët më shumë të përkthyer në tërë letërsinë e përbotshme të shekullit XX.

MILAN KUNDERA (1929) – Është i lindur në Bërno të (ish) Çekosllovakisë. Fillimisht si i ri u muar me kompozime muzikore, me poezi e drama. Mirëpo vetëm më 1958 bëhet i njohur me veprën në prozë “Dashuri qesharake” si dhe me romanin “Shakaja” (1965), ndër më të mëdhenjtë të shekullit XX. Ngjarjet historike janë intensivisht të pranishme në të gjithë veprën e Kunderës, por ato i shërbejnë vetëm si projektorë për të ndriçuar te njeriu anë të panjohura gjer atëherë; interesi analitik i shkrimtarit përqendrohet vetëm mbi tema të ashtuquajtura ekzistenciale.

Ndonëse do të mund të thuhej se Milan Kundera është shkrimtar ekzistencialist ai dallon shumë nga Sartri dhe Kamyja; së pari, nga karakteri ironik i rrëfimit dhe nga fakti që në këtë orientim ekzistencial, ai ka ditur të ndërtojë një estetikë origjinale të romanit.

Pas dy veprave të para të botuara në vendin e tij, (“Jeta është gjetkë” – 1970, “Valsi i lamtumirave” – 1972), romanet e mëvonshme të Kunderës do të botohen në frengjisht (“Libri i të qeshurës dhe harresës” – 1978; “Lehtësia e papërballueshme e qenies” – 1984 dhe së fundi “Pavdekësia” – 1990, një përsiatje për njeriun e sotëm. Për Kunderën është thënë se është një shkrimtar modern që u qëndron besnik kohëve të shkuara.

XHEMS XHOJS,  (1882-1941), poet, tregimtar dhe romansier me origjinë irlandeze, një nga themeluesit e romanit të rjedhës së ndërdijes, autor i “Uliksit”, romanit më kontraverz të këtij shekulli, por njëkohësisht edhe një nga monumentet e romanit modern botëror. Veprat tjera më të njohura të  tij janë përmbledhja me tregime “Dablinasit”, romanit autobiografik “Portreti i artistit në rini” dhe romani “Zgjimi i Fineganit” të cilin autori e ka punuar 17 vjet me radhë.

FRANZ KAFKA, (1883-1924) një nga misteret më të mëdhenj të shekullit. Shkrimtar me origjinë hebreite, i lindur në Pragë, nëpunës i sigurimeve që shkroi në gjuhën gjermane. Në testamentin e tij kishte kërkuar djegien e të gjitha veprave të pabotuara më parë. Por miku i tij Maks Brod nuk e përmbushi dëshirën e testamentit dhe i dhuroi botës pas vdekjes së Kafkës kryeveprën “Procesi”, romanet “Kështjella”, “Amerika” si dhe disa përmbledhje tregimesh dhe letërkëmbimesh të autorit.

SAMUEL BEKET (1906-1989),  poet, romansier dhe dramaturg irlandez, themelues i teatrit të absurdit, autor i disa romaneve si “Marfi”, “Moloi”, “Malone vdes”, si dhe dramave të njohura “Duke pritur Godonë”, “Fundi i Lojës”, “Oh, ditët e bukura”, lojërave të shkurtëra skenike, radiodramave dhe skenarëve për filma të shkurtër dhe emisione televizive që mbajnë notën e theksuar të absurdit beketian. Në vitin 1969 merr shpërblimin Nobel për letërsi.

HERMAN HESE (1877-1962) shkrimtar me origjinë gjermane që ka jetur në Zvicër. Ka shkruar poezi, novela dhe romane. Në veprat e prozës ndjehet ndikimi i psikanalizës dhe filozofisë orientale. Gjatë Luftës II Botërore librat e tij u ndaluan nga nacistët. Veprat kryesore: “Peter Kamencing”, “Ujku i stepës”, “Loja e perlave të rrejshme”, “Demijan”, “Sidarta”, “Gertruda”, etj. Në vitin 1946 merr çmimin Nobel për letërsi.

ALBER KAMY (1913-1960) Shkrimtar francez. Ka shkruar ese, romane dhe drama. Studiuesit e letërsisë e lidhin me ekzistencialistët për shkak të trajtimit letrar të “absurditetit metafizik të jetës së njeriut”. Veprat kryesore janë “Miti i Sizifit”, romanet “I huaji”, “Murtaja”, dramat “Kaligula”, “Mosmarrëveshja”, “Shtetrrethimi” dhe “Kaligula”, të gjitha të përkthyera në gjuhën shqipe. Në vitin 1957 merr çmimin Nobel për letërsi. Vdes në një aksident komunikacioni në vitin 1960.

MARSEL PRUST,  (1871-1922) shkrimtar francez, i cili i shtyrë nga sëmundja e astmës tërhiqet nga jeta dhe mbyllet në dhomat e veta për të shkruar pesëmbëdhjetë vjet rrjesht njërin nga ciklet më të njohura të romaneve të letërsisë botërore “Në kërkim të kohës së humbur”. Autor i njohur për një stil të stërholluar dhe të pasur, subtil dhe tejet analitik.

UILIAM FOKNER (1897-1962) romansier dhe tregimtar amerikan i cili u bë i njohur me novelën e parë “Strehimi” dhe deklarat kontraverse se shkruan vetëm për para. Në ciklin e romaneve që trajtojnë ndryshimet shoqërore të jugut amerikan vërehet më së afërmi ndikimi i Xhojsit. Romanet më të njohura “Sartoris”, “Klithje dhe tërbim”, “Avesalom…”, “Të pathyeshmit”, etj. Në vitin 1949 merr çmimin Nobel për letërsi.

About these ads

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s